Burokraci të panevojshme e quan kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, kërkesën e Ministrit të Mbrojtës, Armend Mehaj, që t’i dërgohet email në mënyrë që trupat e FSK-së të zbarkojnë në Skenderajn e vërshuar nga uji.
Paparaci
Në një bisedë me Paparacin të shtunën pasdite, Nura ka deklaruar se ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shkuar në Skenderaj të enjten rreth orës 19:30. Skenderaj po përballej me vërshime që nga mëngjesi.
“FSK-ja përkatësisht ekipa e zhytësve (7-8) pjesëtar) kanë ardhur në Skenderaj fiks në ora 19:30 ndërsa komunikimi me Ministrin e Mbrojtjes z.Mehaj e kam pasur rreth orës 13:00 i cili ka kërkuar paraprakisht një kërkesë zyrtare drejtuar FSK-së pastaj FSK-ja ia procedon Ministrisë për vendimmarrje”, tha Nura për Paparacin.
Ai ka shtuar se shqetësimin për një kërkesë të tillë ia ka shprehur edhe presidentes së vendit, Vjosa Osmanit, teksa ka vlerësuar punën që FSK-ja ka bërë në Skenderaj.
“…burokraci e panevojshme te cilën ia adresova edhe presidentes së vendit si shqetësim gjë që edhe ajo u pajtua. Ekipi i FSK-së edhe pse me vonesë kanë bërë punë të jashtëzakonshme”, shtoi Nura.
Kryetari i Skenderajt theksoi se ekipet e FSK-së në qytetin që ai drejton kanë qenë siç potencon “vetëm ditën kritike”, kurse gjatë ditës së djeshme ata nuk kanë qenë fare në Skenderaj.
Tutje Fadil Nura tha se dje janë vizituar nga ministri Mehaj me të cilin kanë biseduar dhe është angazhuar një ekip për vlerësimin e urave të dëmtuara.
“Dje ka qenë ministri me të cilin kemi biseduar dhe ka angazhuar një ekip për vlerësimin e urave të dëmtuara”, tha Nura.
Krejt në fund ai tregoi se banorët të cilët kanë pësuar nga vërshimet dhe u janë dëmtuar shtëpitë po qëndrojnë tek të afërmit e tyre, ndërkohë që vetëm dy familje janë akomoduar në një nga institucionet publike të qytetit.
Paparaci ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Mbrojtjes lidhur me këtë çështje dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme nuk e pati pjesë të agjendës që t’i vizitoj qytetarët e prekur nga vërshimet në Skenderaj. Ai vizitoi Istogun, komunë kjo e prekur nga vërshimet dhe jo aq larg Skenderajt.
“Bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe atë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, vizituam rreth 20 pjesëtarë të FSK-së të cilët me kamion ushtarak dhe barkë lundruese, po e bëjnë të pamundurën që t’iu dalin në ndihmë banorëve të fshatit Drejë, në Istog. Aty, te “Ura në Drejë”, mbi lumin Kujavç, na priti kryetari i komunës Ilir Ferati i cili na njoftoi me gjendjen e vështirë dje dhe sot”, shkroi mëngjesin e djeshëm kryeministri në Facebook.
Ndërkohë që presidentja e vendit Vjosa Osmani, qëndroi pasditen e djeshme në komunat e prekura nga vërshimet. Ajo siç njoftoj zyra për media e presidencës, u ka ofruar Skënderjat, Klinës e Mitrovicës mbështetjen institucionale dhe ka potencuar se jeta, shëndeti dhe pronat e qytetarëve, janë prioritet absolut, ndaj nevojitet angazhim dhe solidaritet i të gjithëve në një situatë të tillë.
Komuna e Skenderajt, por dhe komunat e tjera të cilat kanë pësuar dëme nga vërshimet janë vizituar edhe nga kreu i PDK-së Memli Krasniqi dhe disa nga deputetët e kësaj partia.
Kjo parti ka kërkuar nga institucionet qendrore që sa më parë të formohet komisioni për vlerësimin e dëmeve.
Pamjet e publikuara që nga dita e enjte nga Skenderaj janë trishtuese – shtëpitë e vërshuara e të shkatërruara plotësisht, bagëti të ngordhura e qytetarë mes lotësh janë vetëm disa nga pamjet që sjellin realitetin nga atje.