Lumir Abdixhiku, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shkruar se ambasadori Martin Berishaj vazhdon të merr mbrojtjen e parezervë të pushtetarëve vetëm sepse ka lidhje të ngushta politike me ta. Kurse, Oliver Ivanoviq, i cili sipas tij, ka qenë i dënuar me 9 vite burgim për vrasjen dhe përndjekjen e shqiptarëve civil në veri të vendit, sot cilësohet nga pushteti si ‘njeriu që punoi për një të ardhme të qëndrueshme e një Kosovë shumë etnike’.
A është ky ndryshimi për të cilin Kosova ka pasur nevojë?, ka pyetur Abdixhiku.
“Që të amnistohen të korruptuarit vetëm sepse kanë lidhje me pushtet, e të rehabilitohen kriminelët e luftës e pasluftës sepse tani janë në pushtet. Çfarë i bën të ndryshëm këta popullistë nga e mbrapshtja që kishte ngufatur këtë vend?”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social Facebook.
Ai ka shtuar se skandalet si këto s’mund të kalohen në heshtje. Ato s’mund të mbyten as nga zhurma e paaftësisë së pushtetit.
“Do të vazhdojmë të kërkojmë shkarkim për të parin e kërkim falje për lartnimin e dhimbshëm të të fundit. Kosova meriton më mirë; Kosova mundet më shumë!”, ka thënë ai.