Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër pas përplasjes së dhunshme në rrugën e Kombit.
Në një status në profilin e tij në ‘Facebook’, Rama ka kërcënuar protestuesit se do të përgjigjen para ligjit për shkatërrim e gabinës ku bëhen pagesat.
“Dhuna barbare mbi pronën e përbashkët dhe reagimi i dhunshëm ndaj forcave të rendit në Kukës, do të marrin përgjigjen e merituar me të gjithë fuqinë e ligjit ndaj kujtdo që ka ngritur dorën e paligjshmërisë! Ta harrojnë dhunuesit e frymëzuesit e tyre se i’a dalin dot mbi ligjin!”, shkruan Rama.
Ditën e sotme qindra qytetarë kanë dalë në protestë kundër tarifës për rrugën e Kombit, ku çdo kush që kalon në këtë rrugë do të paguajë nga 5 deri në 44 euro.
Protestuesit i kanë vënë flakën gabinës ku ndodhen makineritë ku bëhen pagesat, ndërsa ata shprehen të vendosur se nuk do të tërhiqen nëse nuk ndryshojnë tarifat.