Derek Chollet, Këshilltar i Departamentit amerikan të Shtetit dhe Gabriel Escobar, I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor në një shkrim autorial të cilën e kanë publikuar në Radio Evropa e Lirë, kanë kërkuar që të themelohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Është koha për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe” – mban titullin shkrimi i Chollet dhe Escobarit.
Në këtë shkrim, Chollet dhe Escobar kanë thënë se Asociacioni nuk e cenon Kushtetutën e Kosovës dhe se kundërshtojnë “çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë”.
Zyrtarët e lartë amerikanë, thonë se detyrat më kritike e Kosovës mbetet zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin.
“Zotimi i Kosovës për ta krijuar Asociacionin nuk e cenon Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë ose institucionet demokratike të saj. Ne e kundërshtojmë rreptësisht krijimin e çfarëdo etniteti që i përngjan Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë (BH); Bashkësia ndërkombëtare nuk po kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë nga Kosova që ta ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ajo funksionon në interesin më të mirë të kosovarëve. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së ka vënë në pah se ekzistojnë 14 aranzhime të ngjashme brenda Bashkimit Evropian – asnjëri nga to nuk cenon sistemet evropiane të qeverisjes efektive. Brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja, Kosova mund të refuzojë opsionet që kërcënojnë strukturën e saj ligjore, por nuk mund të refuzojë zotimet e saj. Si vendi më prokosovar në botë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuara të mbështesin popullin e Kosovës për të siguruar që struktura e saj kushtetuese dhe ligjore nuk cenohet.” – thuhet në këtë shkrim.
“Po ashtu, është me rëndësi të vihet në pah se një Asociacion i komunave me shumicë serbe nuk do të ishte njëetnik. Këto do të ishin komuna me shumicë serbe ku jetojnë jo vetëm serbët etnikë, por edhe grupet e tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë – të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen.” – thuhet tutje.
Tutje, ata kanë shpejguar se çfarë është dhe çfarë nuk është Asociacioni që duhet të themelohet nga Kosova.
Po ashtu, në fund të këtij shkrimi thuhet se duke punuar për themelimin e Asociacionit, Kosova do të përmbushë një “element kritik të nevojshëm për ndërtimin e të ardhmes së saj të drejtë si shtet sovran, shumetnik dhe i pavarur, i integruar në strukturat euroatlantike.”
“Jemi të gatshëm që ta mbështesim Kosovën për ta përmbushur këtë zotim dhe do të qëndrojmë krah vendit tuaj në çdo hap. E ardhmja e Kosovës dhe Serbisë – dhe e të rinjve të saj që tash po shikojnë kah vendet e jashtme për mundësi – mund të jetë e ndritur në një Evropë „të tërë, të lirë dhe në paqe”. Krejt çka duhet është që ta shfrytëzojmë këtë moment së bashku.” – thuhet po aty.