Nën organizimin e Asociacionit Alternativ të Shkrimtarëve të Kosovës, Ars Club “Beqir Musliu”, me seli në Gjilan dhe nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Gjilanit, sot në Bibliotekën e Qytetit “Fan S. Noli”, u mbajt Ora e Madhe Letrare, ku 17 poetë kanë lexuar poezitë e tyre, në garë për çmimin “Pena e Flakës”.
Poetë e poete, artdashës e të ftuar të tjerë në këtë Orë Letrare, në emër të kryetarit të komunës së Gjilanit, i ka përshëndetur nënkryetarja e komunës, Leonora Morina Bunjaku.
“Me organizimin e sotëm të aktivitetit të radhës “Pena e Flakës”, po i afrohemi edhe finalizimit të këtij manifestimi mbarëkombëtar të ”Flakës së Janarit”, duke i falënderuar të gjithë varësisht prej përgjegjësive si organizatorë, mbështetës dhe si pjesëmarrës”, ka thënë nënkryetarja Morina Bunjaku.
Ajo shtoi se gjithë ky organizim i jashtëzakonshëm në këtë mënyrë, do të përmbyllet suksesshëm duke e bërë Gjilanin qendër të kulturës dhe të artit shqiptar, për gati një muaj.
Në fund, nënkryetarja Morina Bunjaku ka uruar të gjithë pjesëmarrësit e Orës Letrare dhe fitueseve suksese, si në këtë Orë, si në konkurrimin e tyre në konkursin anonim letrar, në tregim e poezi.
Juria e Orës Letrare në përbërje: Sadete Tërnava Osmani, Emin Azemi dhe Arsim Halili, pas leximit të poezive, përzgjodhi tri poezi të cilat u nominuan për Çmimin “Pena e Flakës”.
Rapsodi për tri dhembje – Ramë Oraca
Zëri yt – Etleva Tafa
Pranë varrit të heroit – Klinton Nesturi
Ndërkohë, poezia fituese do të bëhet e ditur në Mbrëmjen Përmbyllëse të Manifestimit Kombëtar të Kulturës “Flaka e Janarit”, në Gala Mbrëmjen e cila mbahet po sot, nga ora 17:00 në Resort “Planet”.
Përndryshe, në Orën e Madhe Letrare “Pena e Flakës”, si një nga shtyllat qendrore të Manifestimit “Flaka e Janarit”, ishin mbledhur poetë e poete nga treva të ndryshme shqiptare, e për Çmimin kryesor “Pena e Flakës”, poezitë e tyre i lexuan këta poetë:
Afrim Demiri, Etleva Tafa, Klejda Plangarica, Kliton Nesturi, Mexhit Havolli, Preng Maca, Ramë Oraca, Rozafa Shpuza, Rrushe Hasimi, Sadije Haliti, Selvete Abdullahu, Syhejl Havolli, Sherife Thaçi, Dhimitër Pojanaku, Xheladin Rexhepi, Zana Pira dhe Zeqir Fazliu.
Përveç aktivitetit të Orës Letrare, një Juri tjetër letrare në përbërje: Anton Nikë Berisha, Albinë Idrizi dhe Xhevat Latifi, shpalli rezultatet e konkursit anonim letrar për poezi e për tregim të shkurtër, e ku sipas organizatorit, në garë ishin 79 poezi si dhe 47 tregime.
Në poezi:
Vendi i parë: Për ty, shifra: Safo
Vendi i dytë: Na t’atëhershmit, shifra: 0803
Vendi i tretë: Nëse më kishe dashtë, shifra: Unë Hamleti
Në prozë:
Vendi i parë: nuk është dhënë
Vendi i dytë: Zbardhëllimë – shifra: Udhërrëfyesi
Vendi i tretë: Bineqtë – shifra: L’keni i Hasit
Manifestimi “Flaka e Janarit”, tutje ka në program aktivitetin përmbyllës, “Gala Mbrëmja” që do të mbahet në Resort “Planet”, Kmetoc, Gjilan, me fillim prej orës 17:00, kur do të shpallen të gjitha vendimet për fituesit, për të shpërblyerit nëpër shtyllat përkatëse, sipas rrjedhës, duke filluar nga “Peneli i Flakës”, “Talia e Flakës”, “Gara në Enigmatikë”, “Xixat e Flakës”, “Fest Flaka” e “Pena e Flakës”.