105 euro do të jetë vlera e koeficientit për vitin 2023 për punëtorët e sektorit publik, ndërkaq për vitin 2024 pritet të jetë 110 euro.
Kështu ka marrë vendim Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të fundit.
Sipas të dhënave të publikuara, del se paga për disa kategori është rritur për nga 30 për qind deri në 90 për qind.
Sipas koeficientit të Ligjit të Pagave, kryetarët e komunave do të kenë pagat bruto nga 1,500 deri në 1,200.
Kështu kryetari i Prishtinës, Përparim Rama i cili ka koeficientin 15 i bie që pagë mujore bruto të marrë 1,575 euro.
Rama njëherësh do të jetë kryetari me pagën më të lartë krahasuar me kryetarët e komunave tjera.
Kryetarët e komunave që kanë mbi 100 mijë banorë do të paguhen me nga 1,365 euro.
Ato komuna që kanë 70 mijë deri në 100 mijë banorë, kryetarët e tyre do ta kenë pagën 1,344 euro.
Ndërkaq kryetarët e komunave që kanë 50 deri në 70 mijë banorë dhe 30 deri në 50 mijë, do të paguhen me nga 1,323 euro dhe 1,302 euro.
Paga më të ulëta do të kenë kryetarët e komunave që kanë nga 10 mijë deri në 20 mijë banorë.
Disa do të kenë pagë bruto 1,281 euro, të tjerët 1,260 dhe paga më e ulët do të jetë 1,239 euro.
Më 22 dhjetor 2022, Ligji për Paga ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës, i cili parasheh ndryshim të pagave për punëtorët e sektorit publik, ndërsa më 4 janar ishte dekretuar nga Presidenca.
Pas dekretimit, ky Ligj është publikuar në Gazetën Zyrtare, e që do të jetë i gatshëm për zbatim brenda 30 ditëve. /Telegrafi