Këshilli Drejtues i Odës së infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë kanë mbajtur një takim në të cilin kanë shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me vlerën e re të përcaktuar të koeficientit.
Përmes një njoftimi, nga OIK-u bëjnë të ditur se kanë vendosur që t’i japin kohë Qeverisë për të reflektuar, pas kategorizimit që u është bërë në Ligjin e Pagave, përcjell teve1.info
Ata po ashtu kanë kërkuar nga Qeveria që krahas ekzekutimit të pagave sipas Ligjit të ri, të mos ua ndërpresë shujtat dhe shtesat tjera, pasi në të kundërtën kanë paralajmëruar veprime ligjore.
“Andaj, anëtarët e Këshillit Drejtues të OIK kanë vendosur që t’i japin kohë Qeverisë që të reflektojë dhe krahas kësaj pagese të mbesin në fuqi shtesat si shujtat dhe kujdestaritë, të cilat duhet të jenë të pa cënueshme. KD i OIK apelon për të fundit herë tek Qeveria e Republikës së Kosovës që krahas ekzekutimit të pagave sipas Ligjit të ri, të mos ndërpresë në asnjë mënyrë shujtat dhe shtesat e tjera. Përndryshe, pakënaqësitë e mëdha brenda komunitetit nga trajtimi i pabarabartë sipas niveleve të shkollimit dhe vlera e ulët e koeficientit do të na shtyejë të kërkojmë veprime ligjore kushtetuese që mund të vënë në pikëpyetje edhe vet Ligjin”, thuhet në njoftimin e tyre.
Në këtë takim po ashtu u tha se asnjë nga kërkesat e përfaqësuesve të OIK lidhur me kategorizimet nuk janë marrë parasysh, derisa është potencuar se vlera e koeficientit është tejet e ulët.
Me vlerën e re të koeficientit, pagat e infermierëve do të sillen pavarësisht kualifikimit dhe kategorizimit nga 588 euro paga më e lartë, kurse më e ulët për ndihmësinfermierin, 472 euro bruto.