Paneli i Gjykatës së Apelit ka shpallur aktgjykimin në çështjen ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Ky panel ua ka zbritur vetëm për tre muaj dënimin me burg Gucatit e Haradinajt, duke i dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim, shkruan Reporteri.net.
Paneli ka konfirmuar shumicën e pikave të aktgjykimit të shkallës së parë dhe po ashtu ka mbetur në fuqi gjoba prej 100 eurove për secilin.
“Paneli cakton një dënim të njësuar prej 4 vjet e 3 muaj burgim për Gucatin e Haradinajn duke llogaritur kohën e kaluar në burg”, tha gjykatësja e panelit.
Gjykatësja e Panelit ka thënë se të dy do të mbeten në paraburgim në Hagë deri në transferimin në shtetin ku do të vuajnë dënimin.
Kujtojmë se në shkallën e parë Gucati e Haradinaj u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim, dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Ndërkaq, u liruan nga përgjegjësia penale për hakmarrje.