Sipas kryetarit të Odës së Infermierëve të Kosovës, Naser Rrustemi, gjatë vitit 2022 rreth 700 infermierë kanë kërkuar vërtetime nga kjo odë për emigrim.
Ky numër krahasuar me vitin 2021, sipas kryetarit Rrustemi është shtatëfishuar.
Rrustemi ka pasur kritika ndaj institucioneve, të cilët sipas tij nuk po ndërmarrin asgjë për ta ndaluar këtë dukuri.
“Sa i përket numrit të infermierëve ky numër mund të jetë shumëfish më i madh mirëpo në bazë të asaj që janë të saktë që vijnë te na kërkojnë një vërtetim që s’ka shkelje të kodit etik por njëkohësisht edhe sa i përket licencës të cilën e kërkojnë të nostrifikuar për 2022-ën janë 687 infermierë”, ka thënë Rrustemi për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.
Ai ka shprehur bindjen se as Ligji i Pagave nuk do ta ndalojë këtë dukuri.
“Fatkeqësisht edhe tash pavarësisht se çka do të bëhet me ligjin e pagave që veç dje erdh ajo vlera e koeficientit, nuk do të mendojnë fare edhe nëse ua bëjnë rrogën 1 mijë e 500 euro, ka infermier që as nuk duan të dëgjojnë por ata janë të detyruar të largohen nga Kosova dhe të shkojnë të punojnë në vende të treta”, u shpreh tutje Rrustemi, teksa kritikoi organet e SHSKUK-së për mbyllje të zyrës së infermierisë.