Qeveria e Kosovës pritet të konsiderojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nëse plotësohen gjashtë kushte. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, për çka është përplasur me deputetë të opozitës. Këta të fundit e kanë akuzuar për ndryshim qëndrimesh e mashtrim të qytetarëve. Në anën tjetër, partnerët ndërkombëtarë të përfshirë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë nuk i kanë komentuar kushtet e Kurtit, shkruan Gazeta Sinjali.
As zyrtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë pranuar të flasin për to, por kanë rikujtuar se marrëveshja e nënshkruar në Kuvend është obligim ndërkombëtar dhe se ajo duhet të zbatohet.
Ndërkaq, emisari i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar një intervistë për “The Pavlovic Today”, Escobar tha se Asociacioni është një nga marrëveshjet më të rëndësishme që nuk është zbatuar deri më tani.
“Sido që të shkoni përpara nën patronazhin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, do ta keni një Asociacion. A e pranon ose jo Qeveria aktuale e Kosovës obligimin ligjor, nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit”, ka deklaruar Escobar.
Escobar në këtë intervistë ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk ka rrugë tjetër pos themelimit të Asociacionit, derisa ka shtuar se ai do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Tani brenda atij konstrukti, pozicioni ynë është se duhet të jetë diçka që nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës, nën ligjet e Kosovës, që nuk krijon probleme për funksionimin e Kosovës. Me fjalë të tjera, jo si modeli i Republika Srpskas. Çfarë bën sipas mendimit tim, ndihmon Kosovën që të marrë në kontroll shërbimet dhe çështjet që serbët në veri shikojnë nga Beogradi t’i bëjnë, të gjitha ato do të ofroheshin nga Qeveria e Kosovës. Dhe nëse Serbia ka zë në të, duhet të bëhet sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë ai.
Kushtet e Kurtit, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i ka cilësuar si “përrallë”, duke theksuar se kryeministri Kurti “nuk do të formojë Asociacionin”.
Përkitazi me kushtet e Kurtit ka reaguar edhe opozita në Kuvendin e Kosovës, ndonëse kryeministri ka thënë se krerët opozitarë kanë qenë në dijeni për to.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, kritikoi njërin prej kushteve të vendosura nga Kurti, përkatësisht atë për çarmatosjen e veriut.
Abdixhiku tha se kjo nuk është çështje për dialog me Serbinë, por është detyrë e Kurtit dhe organeve të rendit që ta bëjnë një gjë të tillë.
“Jo gjashtë, por 22 udhëzime i ke nga Gjykata Kushtetuese. Të gjitha i ke me një vend, thonë respektim i rendit, Kushtetutës së Kosovës”, tha Abdixhiku.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nuk e di se a është rastësi apo sinkronizim mes Kurtit dhe Vuçiqit, që në kohën kur në Kuvendin e Serbisë po diskutohet për dialogun, kryeministri kosovar e jep lajmin për themelimin e Asociacionit.
“Ky moment duhet të jetë një koordinim i mirë mes dy liderëve, Kurtit dhe Vuçiqit, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment, po japin lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marrë kjo marrëveshje”.
“Ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal, drastik, që është ndryshim jashtëzakonisht i madh i diskursit të Kurtit”, tha ai.
Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar, më 23 dhjetor të vitit 2015, se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishin tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.
Kushtetuesja ka thënë se ky asociacion mund të formohet, nëse harmonizohen me Kushtetutën ato parime që nuk janë në harmoni me të.
Serbia, në anën tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin./GazetaSinjali/