Asnjëherë në historinë e saj Kosova nuk ka qenë në një pozitë më të disfavorshme në dialogun me Serbinë dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, ka thënë ish-kryeministri kosovar, Avdullah Hoti në një intervistë për Zërin e Amerikës, gjatë vizitës së tij në Uashington.
Hoti pyetur në lidhje me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe tha se në vitin 2015 është vendosur siguresa ku thuhet që Statuti i Asociacionit të merr pëlqimin e Gjykatës Kushtetuese përpara dekretimit nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Kështu, tha ai, janë deklarimet e vazhdueshme të partnerëve tanë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në veçanti, lidhur me Asociacionin se nuk do të jetë strukturë jashtë Kushtetutës së Kosovës.
“Asociacioni është bërë pjesë e rendit kushtetues të Kosovës, është përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurohen që këto obligime ndërkombëtare që i ka marrë Kosova, i ka bërë pjesë të rendit kushtetues, t’i zbatojë në koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe të sigurohet që të zbatohen brenda kushtetutës së Kosovës”, tha Avdullah Hoti.
Pyetur se a nuk është e mjaftueshme garanca amerikan se ky Asociacion nuk do të jetë një aranzhim çfarë është “Republika Srpska”, Hoti beson në të.
“Uashingtoni ka kërkuar në 1999 që ne të nënshkruajmë marrëveshjen e Rambujesë, me premtimin që do të bombardohet Serbia. Një president amerikan në Tiranë ka thënë se mjaft është mjaft dhe Kosova duhet të bëhet e pavaruar dhe Kosova është bërë e pavarur”.
“Partneritetin që e kemi me Shtetet e Bashkuara është ekzistencial, nuk është vetëm një partneritet diplomatik siç mund ta kemi me plot vende të tjera nëpër botë që na kanë njohur, por është partneritet ekzistencial. Marrëdhëniet e ngushta me Shtetet e Bashkuara janë në thelbin e vetë ekzistencës së shtetit të Kosovës”, tha ai.