Shqiptari i mbijetuar nga tërmeti në Turqi, Bruno Dodi ka rrëfyer momentet se kur e kuptoi se tërmeti kishte goditur vendin ku po qëndronte.
Sipas tij, në hotelin ku ai ndodhej tërmeti ishte i përmasave 7.8 apo 7.9 shkallë të Rihterit.
“Sot në të gdhirë isha me një hotel tjetër. Aty ku ndodhi tragjedia ishte një tërmet i përmasave jashtëzakonisht të mëdha, 7.8 ose 7.9 shkallë të riterit dhe zgjati goxha. Lëkundjet e para kanë filluar në ora 4. E ndjeva tërmetin dhe e hapa telefonin, thashë çka ndodhi, u shtriva prapë. Pas 10 minutash filloi të binte një zë i jashtëzakonshëm. Për Zotin ka bërë dëme të jashtëzakonshme. Lëkundjet nuk pushuan. Ishte vërtet një tragjedi për popullin turk”, ka thënë ai.
Dodi ka thënë se çastet më të frikshme ishin kur u ndalën dritat dhe kur kishte parë fëmijë të frikësuar.
“Unë kam dalë nga dhoma kur tërmeti ishte akoma duke rënë. Ne dolëm nga shkallët në fakt se dritat e hotelit u shkëputën. Kemi zbrit poshtë, ai hotel ka qenë afërsisht, pa ekzagjerim mund të ketë qenë 500 metra a më shumë, unë kam qenë në kat të 12. Kam zbritur nga korridori, kanë qenë disa zonja me fëmijët e tyre, aty me të vërtetë kam parë tmerr. Zbritëm poshtë më pastaj e dolëm të gjithë në rrugë”, ka shtuar ai.