“Ne plotësisht mbështesim dialogun e udhëhequr nga BE-ja me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve. Për ne, njohja reciproke është qëllimi përfundimtar dhe kjo shumë është e rëndësishme”, ka thënë i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për portalin serb në SHBA, “Pavlovic Today”. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq iu përgjigj – “vetëm ëndërroni për njohje reciproke”.
Në një intervistë, Escobar ndër të tjera ka theksuar se SHBA besojnë se të gjitha vendet në rajon duhet të njohin njëri-tjetrin, të zvogëlojnë barrierat tregtare, të ndihmojnë në zgjidhjen e disa çështjeve të hapura të mbetura nga vitet e 90-ta dhe të ecin përpara në integrimin evropian.
Ai ka folur edhe për planin evropian, pra të ashtuquajturin plan gjermano-francez, duke thënë se ai përmban një dispozitë që thotë se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet ekzistuese.
“Sido që të përparoni në dialogun nën patronazhin e BE-së, do të keni një Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe”. Prandaj unë gjithmonë them se në një moment ai do të zbatohet. Pranon apo jo këtë obligim Qeveria aktuale e Kosovës, kjo nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit. Kjo është marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, prandaj them se do të ndodhë. Kjo do të jetë baza e marrëveshjes për normalizim dhe nuk ka rrugëdalje nga ky detyrim”, ka theksuar Escobar, përcjell Paparaci.
Kërkesa e SHBA-së për njohje reciproke të Kosovës dhe Serbisë nuk është e re. Vetë Gabriel Escobar, si dhe zyrtarë të tjerë amerikanë, në periudhën e kaluar shpesh kanë theksuan se ky vend angazhohet që rezultati përfundimtar i dialogut të jetë një marrëveshje në të cilën të dyja palët do të njihen reciprokisht.
Intervista e Gabriel Escobar për “Pavlovic Today” është publikuar të premten, por vetëm tani tërhoqi vëmendjen e një numri të madh të mediave në Beograd, pasi ka mbërritur “reagimi” i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.
“Vetëm ëndërroni për njohje reciproke!”, ka deklaruar Aleksandar Vuçiq, përcjell gazeta serbe në shërbim të pushtetit të tij “Veçernje Novosti”.
Menjëherë pas këtij lajmi, vetë presidenti serb ka publikuar një video të shkurtër në rrjetin social Instagram, në të cilën pa dhënë asnjë detaj tjetër ka thënë:
“Njohje reciproke? Ëndërroni. Rroftë Serbia”.