Në dy-vjetorin e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës ka në plan që t’ua numërojë disa dështime të cilat sipas tyre ka bërë kjo Qeveri.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku thotë se gjatë këtyre dy viteve është kuptuar se sa të pavlera janë bërë premtimet e dhëna të LVV-së.
“Në kohë kur familjet po përpiqen të ja dalin mbanë, kur sistemi shëndetësor është në krizë, kur të rinjtë tanë po largohen nga vendi, kur kosto e jetesës çdo ditë po rritet, e kur pagat e secilit mbesin të ulëta, Qeveria do të festojë. Në dy vjet pushtet kemi kuptuar se sa të pavlera u bënë premtimet e dhëna. Kuptuam mungesën e ndjeshmërisë së pushtetarëve në çdo krizë me të cilën përballen njerëzit tanë. Kuptuam arrogancën e brendshme e përplasjen e panevojshme me aleatë jashtë. Kuptuam pra paaftësinë qeverisëse për të dhënë ndryshimin që Kosova e meriton”, tha ai përmes një videomesazhi.
Deputeti i LDK-së beson se Kosova mundet shumë më mirë.
“Gjatë ditëve në vijim do t’i numërojmë këto dështime, sepse besojmë se Kosova mundet shumë më mirë. Do të ndajmë dhe planet tona sepse besojmë se vendi ynë meriton më mirë. Dhe Kosova do të bëhet më mirë”, shtoi ai.
LVV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit ka fituar me 51% të votave, ndërsa partia e dytë doli PDK-ja me 17.35% të votave, e në vend të tretë LDK-ja me 13.18% të votave. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mori 7.42% të votave.