Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se mjekët specialistë që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik, do të stimulohen përmes shtesës në pagë.
Këtë e bëri të ditur në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë, ku tha se me këto shtesa paga e një mjeku specialist do të mund të arrijë deri në 1800 euro.
“Është një Rregullore e cila do të përcaktojë se për mjekë specialistë që vendosin të punojnë vetëm në sektorin publik do të kenë një shtesë ekstra dhe natyrisht është edhe përvoja e punës dhe për një mjek specialist pas miratimit të Ligjit të Pagave, mund të shkojë paga deri në 1700-1800 euro”, tha Vitia.
Vitia ka folur edhe për ikjen e profesionistëve shëndetësorë jashtë vendit, e që tha se përmes koeficientit të Ligjit të Pagave janë munduar që ta parandalojnë këtë dukuri.
Sipas tij, profesionistët shëndetësorë janë ata të cilët kanë përfituar më së shumti nga vlera e koeficientit, nga të gjitha kategoritë.
“Me shumë profesionistë shëndetësorë që kam folur, përveç pagave janë edhe arsye të tjera që ata largohen e kryesisht kanë të bëjnë me distribuimin jokorrekt të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit infermieror dhe kushte jo të përshtatshme të punës si dhe mungesë e aparaturave”, ka thënë Vitia.