Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar ushtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) për angazhimin e palëkundur që po tregojnë në misionin humanitar në Turqi, pas tërmetit që la pas mijëra të vdekur.
Presidentja në facebook thotë se trimëria dhe vendosmëria e palëkundur e ushtarëve kosovarë për t’i shpëtuar jetët nga rrënojat e tërmeteve shkatërruese në Turqi, ngjallë shpresë në këtë tragjedi që ka shkaktuar trishtim në çdo cep të botës.
“Heroizmi i treguar nga Forca jonë e Sigurisë na kujton dhembshurinë dhe solidaritetin e popullit tonë për të qëndruar krah për krah me miqtë tanë në kohë sfiduese. Faleminderit FSK që në tërë këtë dhimbje e trishtim, na jepni shkëndija shprese. Jemi krenar me ju!”, ka shkruar Osmani, që njëherit është edhe komandante supreme e Ushtrisë së Kosovës.
Ndryshe, të hënën e kaluar një tërmet i fuqishëm ka goditur Turqinë dhe Sirinë. Numri i të vdekurve në Turqi deri dje ishte 31.643, ndërsa zyrtarët turq thonë se ky numër po rritet nga dita në ditë. Ndërsa në Siri, numri i përgjithshëm i të vdekurve rreth 3.580. sipas zyrtarëve turq, nga ky tërmet më shumë se 41 mijë e 500 ndërtesa u shkatërruan ose u dëmtuan shumë.