Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përmendur të gjitha aktivitetet që Qeveria e Kosovës i ka bërë gjatë ditës për nder të 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Kurti përmes një postimi në Facebook ka thënë se 15-vjetorin e Pavarësisë e kanë nisur me mbledhje festive të Qeverisë, pasi sipas tij puna dhe festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë.
“15-vjetorin e Pavarësisë e nisëm me mbledhje festive të Qeverisë, sepse puna dhe festa për Republikën tonë duhet të shkojnë gjithmonë bashkë. E vazhduam me homazhe dhe nderime në Prishtinë dhe në Prekaz, për prijësit tanë, heronjtë e heroinat, të rënët e martirët, sepse pa përpjekjen dhe sakrificën e tyre nuk do ta kishim të tashmen e me shembujt dhe idealet e tyre duhet të ecim drejt të ardhmes. Nderuam kujtimin e 1133 fëmijëve të vrarë gjatë luftës, sepse na mungojnë shumë dhe nuk i harrojmë kurrë. U takuam në mes vete e mirëpritëm përfaqësues të shteteve mike në Kuvend, sepse aty u shpall dhe aty duhet ta ruajmë Republikën. Pamë nga afër parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, sepse Kosova është histori suksesi që duhet të mbrohet përjetësisht.” – ka shkruar ai.
Kurti ka thënë se gjatë gjithë ditës i kanë uruar njëri-tjetrit Pavarësinë e Kosovës.
“E gjatë gjithë ditës i uruam njëri-tjetrin republikën e për republikën, sepse sot kemi festë. Gëzuar të gjithëve 17 Shkurti dhe urime 15-vjetori i Pavarësisë së Kosovës! Sot, nesër, përjetë.” – ka shkruar ai.