Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë takuar senatorin amerikan Robert Menendez, që së fundmi u shpreh kundër presionit amerikan ndaj Kosovës për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Fillimisht për takimin me Menendez ka shkruar presidentja Osmani, e cila ka thënë se e ka falënderuar atë për mbështetjen ndaj shteti tonë.
“E falënderova për mbështetjen e palëkundur për Republikën e Kosovës dhe përkushtimin për avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve tona dypalëshe”, ka shkruar Osmani.
Kurti e falënderoi Menendez për mbështetjen aktive për Kosovën në senat, teksa bëri të ditur se gjatë takimit u fol edhe për normalizim e marrëdhënieve me Serbinë.
“Diskutuam për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, shkroi Kurti.
Kujtojmë se Menendez është shprehur i shqetësuar me deklaratat e Derek Chollet në lidhje me çështjen e asociacionit, teksa është shprehur se njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë është mënyra e vetme për të ecur tutje.
“Para se të kërkojmë diçka tjetër nga palët, gjëja e parë që duhet të ndodhë, kushti precedent që duhet të ndodhë para se të rrjedhë diçka tjetër është njohja reciproke, sepse vetëm nëpërmjet njohjes reciproke dhe veprimeve që kanë të bëjnë me njohjen reciproke, mund të ketë një rrugë përpara për Kosovën”, është shprehur Menendez.
Tutje, ai u shpreh edhe kundër formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin tha se është jo-kushtetues.
“Para së gjithash, Gjykata Kushtetuese vendosi se ishte jokushtetues siç përkufizohej sepse do të krijonte një separatë duke përfshirë qeverisjen e nivelit ekzekutiv që ne nuk mund ta kemi atë. Do të ishte sikur të kishim dy presidentë, në fund të ditës kjo nuk funksionon”, ka thënë ai./GazetaSinjali/