Gjilani ka nevojë për një VetëVendosje të fortë në opozitë sot, për ta pasur një VetëVendosje shumë më të fortë në pushtet nesër.
Qytetarët e Gjilanit të dëshpëruar nga realiteti aktual i injorancës, snubizmit dhe përbuzjes së pushtetit ndaj pritjeve e premtimeve të qytetarëve dhe nga gjumi i thellë dimëror i kryetarit Haziri në ngecjen e konstituimit të institucioneve komunale, kanë nevojë të mësojnë ate që simpatizantët e LVV asnjëherë nuk kanë dyshuar, dhe kanë nevojë të sqarojmë ate që përkrahësit e LVV gjithnjë e kanë ditur, se LVV në Gjilan nuk do të hyj në asnjë formë bashkëqeverisjeje me kryetarin aktual të komunës së Gjilanit dhe pushtetin e tij.
LVV nuk do të jetë në koalicion me kryetarin aktual të fjalëve të mëdha e punëve të vogla, sepse Gjilani nuk ka nevojë për një kryetar të temave boshe shtetërore për çka nuk është kompetent, por Gjilani ka nevojë për një kryetar të temave boshte komunale për çka është zgjedhur dhe është pretendent.
LVV nuk do të jetë në koalicion me pushtetin, sepse LVV është në koalicion me qytetarët, që nga fillimi dhe që nga themelimi. Të tjerët po negociojnë me pushtetin për të fituar një grimcë pushtet, LVV po negocion me qytetarët për të zgjeruar rradhët e veta në ndërtim të shtetit dhe komunës së vet.
LVV nuk do të jetë në koalicion me pushtetin sepse ka rrugën e vet të ndryshme, ka alternativën e vet të ndryshme dhe ka qëllimin e vet të ndryshëm. Duke qenë të ndryshëm NE, ndryshimet nuk do i sjellim duke qenë si pushteti, me figura të reja e vese të vjetra.
LVV nuk do jetë në koalicion me pushtetin sepse NE e synojmë pushtetin. Këta e deshtën dhe e duan për vete, NE e duam për qytetarët. Ne do kemi durimin edhe t’i bindim edhe t’i udhëheqim
LVV nuk do të jetë në koalicion me pushtetin sepse Ne nuk e duam pushtetin çfarë këta na e diktojnë e na kanë lënë por çfarë qytetarët e populli na e kërkon e çfarë vërtetë e meritojnë.
LVV nuk do të jetë në koalicion me pushtetin sepse Ne kemi besimin e palëkundur që do rrisim shpresat e atyre që kanë shpresë, do ngjallim krenarinë e atyre që janë krenar dhe do sendërtojmë idetë e atyre që kanë ide.
Vetëm atëherë kur qytetarët do na e japin të drejtën legjitime për t’i udhëhequr NE do iu prijmë edhe drejt edhe pastër, në mënyrë që Komuna të jetë e tyre, që fushat e arat të jenë të tyre, që rrugët, shëtitoret e parkingjet të jenë të tyre, që ëndrrat për vende të reja pune të bëhen zhgëndërr, që drita, ajri e mendjet e ndritura të jenë në shërbim të tyre.
Qytetarët e Gjilanit nuk guxojnë të humbin besimin në drejtësi, në barazi, në zhvillim e në prosperitet sepse NE do e mbrojmë komunën edhe pa qenë pushteti, sepse ne do e luftojmë korrupsionin, kriminalitetin, kaosin, nepotizmin edhe duke qenë OPOZITË edhe duke qenë të vetëm.
Edhe në opozitë edhe në pushtet LVV është e njejta, do të jenë të tjerët që do ndrrojnë pozicion për shkak të realitetit të ri që do ta krijojnë qytetarët nga forca e argumentit dhe konsistencës në parime e qëndrime të LVV.
u.d. kryetari i LVV-Gjilan – Nehat OSMANI