Një rast fiktiv për mbledhjen e mjeteve financiare për shërimin e një të riu, i bëri bashkë ‘të fortit’ e rrjetit social TikTok, që mbledhin mijëra persona në ‘livestream’. Personazhi kontrovers, Vali Corleone, reperi Fero, e dy personazhet tjera të njohura në këtë rrjet social, Rasimi, Donzi e të tjerë, në muajin tetor kishin rënë në grackën e një personi që ishte prezantuar me emrin, Armend Morina, dhe i njëjti kërkoi nga njerëzit vullnetmirë që të ndihmojnë vëllain e tij, për të cilin pretendonte se vuan nga leukemia akute, raporton Gazeta Sinjali.
Që nga fundi i muajit tetor e deri më sot, i dyshuari tjetër, kishte shijuar lirinë nga arratia.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se B.K., 31-vjeçar, gjatë ditës së sotme është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrim’. Po ashtu brenda afatit ligjor, ndaj tij pritet që të merren veprimet tjera ligjore.
Por si dyshohet të ketë ndodhur i gjithë rasti?
Një person i prezantuar me emrin, Armend Morina, për disa ditë bëri thirrje për ndihmë, pasi pretendonte që vëllai i tij, Blerimi, vuan nga sëmundja e rëndë e leukemisë akute dhe për shërimin e tij nevojiteshin 100 mijë euro.
Me të dëgjuar për rastin, ‘kingat e TikTok-ut’, ishin mbledhur në video me lidhje direkte dhe kishin arritur që brenda 24 orëve të arrijnë t’i grumbullojnë mbi 95 mijë euro.
E nga këto para, dyshohet se Armendi dhe personi që u arrestua sot, kanë përvetësuar hiç më pak se 18 mijë euro.
Gjërat kishin nisur të marrin kahje të dyshimtë pasi Armendi ishte ‘zhdukur’ dhe telefoni i tij nuk po funksiononte më. Kjo kishte bërë që donatorët të shqetësohen dhe të ngrenë dyshime nëse paratë që mblodhën shkuan në vendin e destinuar.
Pas denoncimit të rastit, kanë filluar hulumtimet prej të cilave është mësuar se në Klinikën e Hematologjisë, ku trajtohet leukemia akute, nuk kanë mundur të konfirmojnë një pacient me emrin Blerim Morina.
E as në qytetin prej të cilin pretendonin se vijnë dy vëllezërit Morina, askush s’ishte në dijeni për ‘ekzistencën’ e tyre.