Artan Qerkin, avokat i Adil Berhamaj, banesa e të cilit është bastisur nga Gjykata Speciale ka thënë se kjo është bërë me pretendimin për një vepër penale, e që sipas avokatit Prokuroria pretendon se bije në juridiksionin e tyre.
Ai ka thënë se për këtë pretendim ndaj ish-këshilltarit të ish-presidentit Thaçi, ata kanë vlerësuar se disa pika janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Është bastisur banesa e Adil Behramajt lidhur me një pretendim ZPS –së për një vepër penale që sipas tyre është brenda juridiksionit të tyre. Nuk është specifikuar. Mbrojta e ka parë vendimin e ka bërë një vlerësim fillestarë, mendojmë se ky vendim në disa pika është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por këto çështje do t’i adresojmë në momentin duhur”, ka thënë ai para medieve, transmeton teve1.info.
Madje, Qerkini bëri të ditur se ndaj Adil Behramajt, ish-këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, nuk ka urdhërarrest.
Qerkini ka thënë se është herët të flitet nëse kjo gjë ka të bëjë me rastin e ish-krerëve të UÇK-së.
Që nga mesdita ka nisur bastisja e banesës së Behramajt nga policët e EULEX-it me urdhër të Gjykatës Speciale e cila ka përfunduar pas orës 18: 00 të mbrëmjes.