Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se rritja e importit të produkteve bujqësore gjatë vitit 2022, është shenj se prodhimi vendor ka rënë, raporton teve1.info
Hoti përmes një statusi në Facebook e ka kritikuar ministrin e Bujqësisë Faton Peci, për të cilin ka thënë se e kishte paralajmëruar se do të dëmtohen bujqit nëse nuk rritet mbështetja e Qeverisë për ta.
Sipas Hotit, të dhënat e Doganës së Kosovës kanë treguar se importi i grurit, mishit, gjedheve për therje e qumështit është rritur mesatarisht për 50 për qind në vitin 2022, krahasuar me vitin 2021.
“Ministri i Bujqësisë, në vend se të sqaroj se çfarë po bën për të zbutur krizën për bujqit, kishte shkruar një pamflet me plot tallje e cinizëm. Faktet tregojnë se efektet e punës së tij janë zero.
Kjo rritje është tepër e madhe pavarësisht rritjes së inflacionit. Nuk ka gjasa që në Kosovë më 2022 të jetë rritur kaq shumë konsumi i qumështit, grurit apo mishit. Kështu që, këto shifra tregojnë se ka rënë prodhimi vendor, dhe se konsumi është plotësuar nga rritja e importit.
Le t’ia sqaroj dikush Ministrit të nderuar këto të dhëna. Në ditët e ardhshme do të publikohen edhe të dhëna të tjera për të demaskuar mashtrimin dhe dështimin e kësaj qeverisje”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.