Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se në takimin e së hënës në Bruksel kryeministri Kurti po shkon për formimin e Asociacionin dhe jo për njohje.
Ai tha se të hënën nuk do të ketë marrëveshje finale gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen e ndërsjellë në qendër, por se përkundrazi, 27 shkurti i këtij viti do të shënojë fillimin e një faze të re të procesit të dialogut “ku njohja e ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë nuk do të jetë më fare temë diskutimi”.
Dhe për këtë “fazë të re”, Krasniqi thotë se është rezultat i drejtpërdrejtë i dy viteve të keqmeaxhimit të dialogut nga Qeveria Kurti.
“Pavarësisht nga takimi i së hënës, qeveria, tashmë publikisht, e ka pranuar planin e propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, nga ajo që është parë deri tash, plani në vetvete nuk përmban pothuajse asnjë përfitim konkret për Kosovën. Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa njohja e ndërsjellë është jashtë çdo diskutimi”.
Për më keq, thotë Krasniqi, nga deklaratat publike të zyrtarëve ndërkombëtarë, shihet qartë se fokusi nuk është në arritjen e objektivave të lartcekura, por është në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Pra, takimi i së hënës është takim për Asociacionin e jo për njohje. Sepse, qeveria, me paaftësinë e saj, e ka degraduar dialogun nga arritja e qëllimit të marrëveshjes finale me njohje në qendër, në marrëveshje kalimtare me Asociacionin në qendër”./Express/