Ministrja Haxhiu, e shoqëruar nga ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, Zëvendësministri i Drejtësisë, zyrtarët e Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit shëndetësor në burgje, bashkpunëtorët, partnerët strategjik e ndërkombëtar, inauguruan sot Institutin për të burgosurit me nevoja të veçanta.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu theksoi se Themelimi i Institucionit Shëndetësor për Trajtimin e Personave me Nevoja të Veçanta, do të mbulojë shërbimet shëndetësore për kategorinë e personave në mbajtje të dënimit në burgun e Dubravës, duke pasur parasysh pikërisht këtë parim e që përkon edhe me standardet e përcaktuara me Rregullat Evropiane të Burgjeve dhe ato të Këshillit të Evropës.
Me funksionalizimin e këtij institucioni shëndetësor, përveç se arrijmë standardet e rregullave evropiane të burgjeve, zvogëlojmë në masë të madhe transferet jashtë burgut për nevoja shëndetësore të të burgosurve, e me këtë edhe rrezikun e sigurisë së tyre. Këtyre personave do t’u ofrohet kujdes shëndetësor adekuat e profesional, i sigurtë dhe brenda burgut.
Në fjalët e tyre, ambasadori Hovenier dhe ministri Vitia, potencuan se bashkëpunimi në adresimin e nevojave të Shërbimit Korrektues do të vazhdojë me qëllim të avancimit dhe përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në burgjet e Kosovës.
Ministrja Haxhiu ka falënderuar Ambasadën e Amerikës në Kosovë për mbështetjen e tyre si dhe Ministrinë e Shëndetësisë për bashkëpunimin profesional dhe angazhimin e tyre në realizim e ketij projekti.