Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka analizuar planin franko – gjerman, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordancë në Bruksel, por ende nuk është nënshkruar.
Deda thotë se marrëveshja bazë është e modeluar kryekëput marrëveshjes së dy Gjermanive, poqë është përshtatur në kontekstin kohor.
Këtë marrëveshje e përkufizon si të paqes, duke thënë se brenda përmban koncepte universale për barazinë në mes shteteve.
“Është kontratë ndërmjet dy vendeve të barabarta, që e pranojnë integritetin territorial, juridiksionin kushtetues dhe subjektivitetin ndërkombëtar të njëra tjetrës”, ka thënë Deda, teksa shton se marrëveshja mundëson paqe dhe hap perspektivën për marrëdhënie të mira fqinjësore një ditë.
Deda konsideron që Kosovës i hap mundësinë që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.
“Kosovës i jepet mundësia për tejkalimin e vështirësive për anëtarësim në Partneritetin për Paqë të NATO-s dhe status kandidati në BE, dhe anëtarësim të shpejtë në Këshillin e Evropës dhe institucionet e tjera ndërkombëtare, realisht kryesisht atyre në Evropë. Serbisë, përshpejtim të afrimit strategjik me Perëndimin, duke përfshirë edhe shtim domethënës të investimeve.
Serbisë i njihet e drejta e mosnjohjes “de jure” të pavarësisë të Kosovës, por jo edhe mohimi i saj. Dmth ka pranim të ekzistencës të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, marrëveshja përmban edhe Asociacion si dhe një vet-menaxhim ta avancuar komunal.
“Po, ka Asociacion të komunave me shumicë serbe, si dhe vetëqeverisje e avancuar shtesë në nivel komunal. Ka ndihmë të institucionalizuar dhe përkujdesje të Serbisë për popullatën serbe në Kosovë. Ka status të formalizuar juridik të Kishës Ortodokse Serbe – a do të jetë ekstraterritorialitet, kjo mbetet të negociohet”, thotë Deda.
Shton se kjo marrëveshje ka edhe edhe paqartësi.
“Ka edhe paqartësi – si psh. disa nga marrëveshjet e Brukselit – ajo për përfaqësim rajonal – a do të vazhdojë të mbetet ne fuqi apo do te bëhet një aranzhim i ri. Por kjo, dhe shumë detaje tjera mbeten në duar, aftësi dhe shkathtësi të negociatorëve të Kosovës në negociatat e një dyzinë marrëveshjesh plotësuese që duhen të arrihen për jetësimin e “Marrëveshjes Bazë”.
“Marrëveshja e qetëson edhe rajonin”, vazhdon ai.
Ilir Deda mendon që një marrëveshja e tillë nëse nënshkruhet do të ketë efekte pozitive edhe për rajonin.
“Tash do të përshpejtohen hapat për heqje te barrierave në Ballkanin Perëndimor (integrim rajonal në bazë të katër lirive evropiane, sipas rregullave të BE- së) dhe integrimin gradual sektorial në Tregun e Përbashkët Evropian”, ka shkruar ai në Facebook.
“A zgjidhen të gjitha problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Jo. Por, mbyllen disa, dhe krijohet mundësia për adresimin e çështjeve tjera. Kyçe këtu është që nënshkruesit e marrëveshjes, dhe garantuesit e saj, të kuptojnë dhe interpretojnë njejtë atë që është dakorduar”.
Një marrëveshje e tillë potenciale i ka edhe rreziqet e veta, sipas Dedës.
“Ka edhe rreziqe – më i madhi nëse nuk ka unfikim të pozitës të 27 shteteve të BE-së ndaj Kosovës. Sikurse në jetë, asgjë nuk është ideale. Por, kjo marrëveshje e paqes është e mirë. E nga paqja fitojmë të gjithë, e në paqe nuk ishte dashtë të ketë humbës”, ka deklaruar ish-deputeti. /Express