Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, ka komentuar pranimin e planit evropian të hënën në Bruksel, teksa ka folur edhe për njërën nga pikat e marrëveshjes, Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.
Hill ka deklaruar se gjëja më urgjente është zgjidhja e kësaj çështje.
“Mendoj se është më urgjente të zgjidhet çështja e Asociacionit dhe për këtë ka disa arsye, njëra prej tyre është se kjo çështje ka 10 vjet që nuk është zgjidhur dhe së dyti, mendoj se nëse fillojmë me të, njerëzit, (serbët në Kosovë) do të kthehen në institucione. Ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është që të qetësojmë të gjithë situatën, sepse është e nevojshme”, tha Hill për Agjencinë Beta.
Tutje ai u shpreh se të gjithë e kuptojnë se sa e rëndësishme është çështja e negociatave ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
“Është një nga gjërat më të rëndësishme që po ndodh në Evropë tani, nuk mendoj se duam të ecim me një ritëm të ngadaltë, por sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Hill.