Gjatë javës së kaluar raportimet e gazetave franceze ‘Le Parisien’ dhe ‘Le Figaro’ tronditën futbollin kosovar. Këto dy gazeta pretenduan se skuadra e Llapit është duke u hetuar për katër ndeshje të kurdisura, me ç’rast Prokuroria Themelore në Prishtinë nisi hetimet, shkruan Gazeta Metro.
Në një përgjigje për Gazeta Metro nga Prokuroria e kanë konfirmuar se ende janë duke i trajtuar këto raste. Megjithatë, nuk kanë dhënë detaje më të hollësishme.
”Ashtu siç e kemi bërë të ditur përmes një Njoftimi për opinionin publik se Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke i trajtuar këto raste, andaj në këtë fazë nuk mund të japim detaje të tjera lidhur me këtë çështje për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës,” thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Rreth këtyre akuzave për kurdisje të ndeshjeve me një komunikatë kishte reaguar klubi i Llapit pak orë pas publikimit të lajmit.
Llapjanët i kishin cilësuar “shkrime tendencioze” dhe “qëllim keqe”, të cilat sipas tyre kanë për qëllim të njollosin emrin e skuadrave të caktuara dhe të Superligës së Kosovës.
Ndërsa, në një prononcim të shkurtë për Gazeta Metro trajneri, Tahir Batatina, kishte thënë se nuk ka ”shanse” të ndodh një gjë e tillë nga skuadra që ai e udhëheq.
”Nuk jam në dijeni dhe nuk ka shansë nga Llapi të ketë një gjë të tillë,” ishte përgjigjur ai.
Kujtojmë se sipas gazetës franceze ‘Le Figaro’ tashmë nëntë persona janë arrestuar për dyshimet për kurdisje të ndeshjeve, katër prej të cilëve janë kosovarë.
Ndërkaq, më vonë siç kishte raportuar ‘Le Parisien’ në këtë skandal të përfshirë janë anëtarët e stafit drejtues, teknik dhe disa lojtarë.
Duhet theksuar se, dyshimet për ndeshje të kurdisura në futbollin kosovar ekzistojnë pothuajse në çdo sezon, mirëpo janë shumë të pakta rastet që është vërtetuar një gjë e tillë.