Një grua nga Gjilani dyshohet se ka kryer vetëvrasje. Bëhet fjalë për Xhylie Hajdarin, e cila për shumë vite ka punuar si motër në Spitalin Regjional të kësaj komune.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Mund të konfirmoj se një femër shtetase e Republikës së Kosovës, dyshohet se ka kryer vetëvrasje”, ka thënë Hashani.
Ndërsa, Hajdari ka qenë motër kryesore në Emergjencë. Kështu ka bërë të ditur drejtori i Spitalit Regjional të Gjilanit, Nysret Hajrullahu.
“Ajo nuk është sjellë në Spitalin Regjional të Gjilanit pra në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar Qendra e Mjekësisë Familjare edhe për ma tutje nuk e di. Është motër kryesore e Emergjencës dhe kjo është informata që kemi. Ka qenë një motër e cila ka qenë një organizatore e mirë e punës dhe e cila ka punuar me zell kurse për detajet tjera ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë Hajrullahu për Indeksonline.
Hajdari ndryshe ishte edhe kandidate e AAK-së për Asamble Komunale në Gjilan, kurse më vonë, pjesë e Aleancës së Gruas për Ardhmërinë e Kosovës.