Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu në një konferencë për media të mërkurën ka thënë se cilësia e punimeve ka ndikuar në vonesën e disa projekteve infrastrukturore.
I pyetur për rrugën Mitrovicë-Prishtinë, Aliu ka thënë se kjo rrugë është një ndër prioritetet e këtij dikasteri së bashku me Gjilanin dhe Gjakovën.
Ai ka thënë se janë angazhuar që sa më shpejt të fillojnë punimet për rrugën Mitrovicë – Prishtinë.
“Rruga Mitrovicë-Prishtinë, pas vendimit të auditorit jemi duke punuar që të vazhdojmë sërish punimet. Nuk mund të dal me premtime, por shumë shpejt do të dalim me konferencë të re dhe do të tregojmë në detaje vazhdimin e punës pas ndërprerjes së kontratës me operatorin”, ka thënë ai.
Ndërkaq, i pyetur për ndërtimet në veri nga serbët, ai ka thënë se atje do të zhvillohet puna tashmë me ligjet e Kosovës.
“Sa i përket komunave të veriut tek tash jemi duke punu që të zhvillojmë atje punë me ligjet e Kosovës. Vendosja e sistemit dhe rregullit ligjor në atë pjesë është mjaft komplekse aspekti i kadastrit i legalizimit i sigurisë së tuneleve. Një ndër problemet kryesore, është se deri vonë nuk janë implementuar ligjet e vendit tonë atje. Ndërkaq të gjitha projektet që ne i kemi realizu atje, pavarësisht se 20 vjet nuk ka pasur projekte atje, të gjitha janë manifestuar më shpronësime”, ka vijuar Aliu.