Qeveria e Kosovës sot në mbledhjen e saj ka miratuar Projektligjin që rregullon çmimet e produkteve medicinale.
Për këtë ka reaguar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se ky Projektligj mundëson që të vendosin çmime tavan dhe të unifikuara për ilaçet.
Sipas tij, barnat duhet të jenë edhe të disponueshme edhe të përballueshme.
“Barnat duhet të jenë edhe të disponueshme edhe të përballueshme. Nuk mjafton që ato të jenë në raftet e barnatoreve, nëse nuk janë në sirtarët e shtëpive tona. Nuk mjafton që t’i ketë farmacisti, nëse nuk i ka pacienti. Na duhen të dyja, pa kursyer shëndetin dhe duke kursyer xhepin. Projektligji për Çmimin e Produkteve Medicinale, që e miratuam sot në qeveri, na mundëson të përballojmë sëmundjet me barna të përballueshme, të vendosim çmime tavan dhe të unifikuara për ilaçet. Që të ruajmë shëndetin e qytetarëve dhe t’i mbrojmë ata nga abuzimi me çmime”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ndërkaq, edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, pas miratimit në qeveri të Projektligjit për produktet medicinale, ka thënë se përmes këtij të fundit do të pamundësohet abuzimi me çmime për barnat.