Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian, sot ka miratuar unanimitet liberalizimin e vizave për Kosovën. Rregullat e reja do t’i lejojnë qytetarët të Kosovës të udhëtojnë në BE pa vizë për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore, raporton Gazeta Sinjali.
Siç sqaron faqja zyrtare e Këshillit të Evropës, përjashtimi nga kërkesa për vizë do të zbatohet që nga data kur Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS) hyn në veprim ose nga 1 janari 2024, cilado që të vijë e para.
Rregullat e reja tani duhet të miratohen nga Parlamenti Evropian përpara se të nënshkruhen dhe publikohen në gazetën zyrtare të BE-së.
“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar menaxhimin e sigurisë dhe migracionit dhe për të harmonizuar politikën e saj të vizave me atë të BE-së. Shpresojmë që bashkëpunimi ynë në këto fusha të vazhdojë të jetë i frytshëm”, tha ministrja suedeze për Migracionin, Maria Malmer Stenergard
“Kosova ka bërë përparim të dukshëm në të gjitha blloqet e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në bazë të këtij vlerësimi, Komisioni propozoi heqjen e vizave për mbajtësit e pasaportave të lëshuara nga Kosova. Përjashtimi nga kërkesa për vizë do të sigurojë që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor të jetë nën të njëjtin regjim vizash”, thuhet në faqen zyrtare të KE-së.