Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtorë, ka zhvilluar sot një takim me ndërmjetësuesin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Sipas një njoftimi nga kjo parti, në takim është biseduar për ecurinë e procesit dialogues, me theks të veçantë për propozimin evropian në lidhje me normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.
Kjo parti tha se mbështet zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun e Brukselit.
“LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-së. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, thuhet në njoftim, raporton Klankosova.tv.
Qëndrimi i LDK-së është se vendit i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi
“Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, u theksua në njoftimin e LDK-së.
Në takim, Abdixhiku thuhet të ketë kërkuar nga Lajçaku sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, “në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”.