Shkruan: Sylejman Ismajli
Derbin më të madh në shtetin e Kosovës e bëjnë dy skuadrat e Gjilanit, FC Drita e SC Gjilani, derbi i cili që nga pas lufta i ka dhënë mesazh të bukur futbollit të Kosovës e më gjerë.
Qyteti para këtij derbi ndahej përgjysmë, sheshet e kafiteritë – njëra ana i takonte “Intelektualëve” e pjesa tjetër “Skifterave”.
Për këtë derbi u thyen edhe dyert e stadiumit për të qenë prezent, pasiqë interesimi ishte i jashtëzakonshëm, duke u mbledhur në shkallët e stadiumit mbi 10 000 shikues, me këngë e me brohorima duke i inkurajuar futbollistët e tyre, gjithçka ishte spektakolare saqë edhe mediat ndërkombëtare filluan të shkruanin për këtë derbi që na falën dy tifozërit – “Skifterat” e “Intelektualët”.
Këto dy grupe dhuronin spektakël dy javë më herët, ato përgaditeshin me pankarta, flamuj e rekuizita sportive me të vetmin qëllim për të krijuar atmosferë në shkallët e stadiumit.
Por, fatkeqësisht këto kënaqësi tani e disa vite nuk po përjetohen si dikur, arsyja kryesore mbetet stadiumi që është bërë “thembër e akilit” tani e disa vite duke i detyruar dy klubet të transferohen në stadiumin sintentik që nuk i përmbushë kushtet as 10% për ti zhvilluar ndeshje normale e lëre më të organizohet derbi.
Dy klubet disa herë në vitet e fundit ishin të detyruara që derbin ta zhvillojnë edhe jashtë qytetit, pa fajin e tyre por me fajin e politikës, të cilët e kanë zvarritur e po e zvarritin ende ndërtimin e stadiumit duke ju shkaktuar humbje me qindra mijëra euro të dy klubeve.
Derbi rradhës do të zhvillohet të dielën në fushën sintentike (tek rrethi), por për kënd do të zhvillohet ky derbi, kur aty do të mungojnë tifozët “Skifterat” e “Intelektualët”, aty do të mungojnë lotët e gëzimit e hidhërimit e do të mungojnë brohorimat e 10 000 mijë tifozëve, ndërsa në qytet mungon atmosfera e derbit.
Mos rregullimi i stadiumit është një mëkat i pafalshëm për njerzit kompetent, ndërsa nga mos puna e tyre më së shumti po pësojnë “Intelektualët”, “Skifterat”, dhe klubi i Dritës dhe Gjilanit.