Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se votimi i fundit në Këshillin Evropian në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën është një vendim historik.
Ai tutje ka theksuar se liberalizimi i vizave do të rregullojë lëvizjen e lirë të njerëzve pa qenë të detyruar që të ikin në mënyrë të palejueshme nga Kosova, e që sipas tij një gjë e tillë edhe e ka dëmtuar imazhin e vendit.
Ai në fund ka thënë se shtetasit e Kosovës e duan vendin dhe nuk e zbrazin.
Postimi i tij i plotë:
Një vendim historik për Kosovën
Vendimi i Këshillit të Bashkimit Evropian i cili përbëhet nga ministrat e brendshëm të vendeve anëtare për liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës, është një vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë.
Ky hap i ndërrmarë nga ky mekanizëm evropian është një vlerësim i fuqishëm për atë që Kosova dhe institucionet e saj e kanë dëshmuar me rezultate dhë përmbushje të kritereve të kërkuara, përkundër sfidave të mëdha me të cilat janë përballur.
Mundësia e lëvizjes së qytetarëve të vendit në gjithë Zonën Shengen, pa pasur nevojën e furnizimit me viza, në radhë të parë shprehë besimin në njerëzit e vendit tonë se do të respektojnë rregullat që parasheh BE-ja.
Po kështu, kjo nënkupton një hap para të lëvizjes së Kosovës sa përket anëtarësimeve të saj në mekanizmat e rëndësishëm evropian. Është kjo meritë e gjithë gjeneratave që kanë udhëhequr me Kosovën.
Qëndrimi unanim i shprehur me miratimin e këtij vendimi, po kështu në thelb tregon për një konsideratë të re tani për tani në heshtje, të vendeve anëtare të BE-së të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Ky hap i vlerave të jashtëzakonshme për Kosovën, sigurisht sigurisht se do t’i vejë në binarë normal e të qëndrueshëm lëvizjet e lira të njerëzve tanë, pa qenë të detyruar që të ndërmarrin veprime të palejueshme dhe klandestine të ikjes nga vendi dhe të cilat veprime shpesh herë fatkeqësisht kanë dëmtuar imazhin e saj.
Shtetasit e Kosovës e duan vendin e vet dhe atë nuk e zbrazin.
Ju faleminderit BE për vendimin meritor!
Urime Kosovë!