Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se dy vrasësit e ish-kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiq 20 vjet më parë kanë kryer krime edhe gjatë luftës në Kosovë.
Kurti ka thënë se vrasësit e ish-kryeministrit serb u dënuan por jo edhe urdhërdhënësit, pasi sipas tij, pse dihej edhe kush ishin.
Për ish-politikanin serb, Kurti ka thënë ishte ndër të rrallët që nuk bashkëpunoi me Sllobodan Millosheviqin.
“Gjingjiq ishte demokrat në rrethanat e asaj kohe ndërkaq për nga formimi intelektual e orientimi filozofik, edhe kur ka lëvizur a ndryshuar, ishte tejet i ndikuar nga Shkolla e Frankfurtit së cilës ia kishte borxh mendimin kritik të qëndrimit opozitar. Teksa admironte ‘aksionin komunikativ’ të Jürgen Habermas, filmi më i dashur i tij ishte “Andrei Rublev” i Andrei Tarkovsky-t. Atentatorët që vranë ish kryeministrin serb më 12 mars 2003, Zvezdan Jovanoviq – Zmija dhe Milorad Ulemek – Legija, përfunduan në CZ të Beogradit të dënuar me nga 40 vjet burg, por jo edhe urdhërdhënësit të cilët nuk u zbuluan kurrë (ndoshta pse diheshin ngahera). Këta të dy janë edhe kriminelë lufte në Kosovë, organizatorë e ekzekutorë masakrash mbi shqiptarët, e bashkë me Goran Radisavljeviq – Gurin, thuhet se janë edhe pjesëmarrës në shtet-rrethimin e Jasharëve në Prekaz. Krimi i organizuar, krimet e kryera gjatë luftës dhe diktatura shoviniste ecin bashkë”, ka shkruar Kurti.
Ai ndër të tjera ka shkruar se gjatë qeverisjes së Zoran Gjingjiq mbështetja për anëtarësim në BE kishte mbërritur në 3/4 e popullsisë kurse tani ka rënë 1/3
“Në dy shekuj ekzistencë, Serbia i kishte dy vjet demokraci. Me qeverisjen e Zoran Gjingjiq, mbështetja për anëtarësimin në Bashkimin Evropian pat mbërrirë në 3/4 e popullsisë së Serbisë, kurse tani ajo ka rënë te 1/3. Për Gjingjiqin sot në Beograd do të ketë shumë pikëllim të shtirur e lot të rrejshëm. Koha që rrodhi pas tij, shtoi peshë në anën e kundërt të demokracisë. Koha që po vjen, nuk duket se do ndryshojë gjë së shpejti atje”, ka shkruar Kurti.
Zoran Gjingjiqi u qëllua me snajper më 12 mars 2003, para Qeverisë në rrugën “Nemanjina 11”.