13 marsi i këtij viti shënon përvjetorin e tretë kur në Kosovë, për herë të parë, u detektuan dy raste të të infektuarve me virusin Covid-19.
Si për ta përkujtuar këtë ditë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se që nga ajo ditë, tre vjet më parë e deri sot, shumëçka ka ndryshuar në jetën e gjithësecilit, përcjell gazeta online Reporteri.net.
“Në sytë dhe mendjet e të gjithëve janë fytyrat dhe emrat e mjekut apo mjekes që u gjend para secilit pacient, në ato çaste të ankthit, pasigurisë dhe vështirësive shëndetësore. Si kurrë më parë të gjithë ju ishim falenderues për çka bënë për qytetarët. U jemi falenderues përjetë personelit shëndetësorë”, shkroi Vitia në Facebook.
Tutje, ministri Vitia ka kujtuar personelin shëndetësor që humbën jetën gjatë trajtimit të qytetarëve të infektuar me Covid.
“Me respekt e dhimbje të thellë kujtojmë sot të gjithë mjekët, infermierët, stafin ndihmës shëndetësor që nuk janë në mesin tonë si pasojë e virusit Covid-19. Sakrifica e tyre deri në vetëmohim duhet të jetë detyra jonë për t’u angazhuar pa u ndalur për sistemin shëndetësor të vendit tonë”, tha Vitia.
Kujtojmë se pandemia Covid-19, në Kosovë për herë të parë shpërtheu më 13 mars të vitit 2019.
Postimi i plotë:
Sot më 13 mars, para tre viteve, patëm njoftuar për dy rastet e para të corona virusit në Kosovë.
Shumëçka ndodhi në jetët e gjithsecilit përgjatë kësaj kohe. Shumëkush u ndikua në mënyrë dramatike.
Në sytë dhe mendjet e të gjithëve janë fytyrat dhe emrat e mjekut apo mjekes që u gjend para secilit pacient, në ato çaste të ankthit, pasigurisë dhe vështirësive shëndetësore.
Si kurrë më parë të gjithë ju ishim falenderues për çka bënë për qytetarët.
U jemi falenderues përjetë personelit shëndetësorë. I mbrojtën jetët e secilit duke vënë të tyren në dispozicion.
Me respekt e dhimbje të thellë kujtojmë sot të gjithë mjekët, infermierët, stafin ndihmës shëndetësor që nuk janë në mesin tonë si pasojë e virusit Covid-19.
Sakrifica e tyre deri në vetëmohim duhet të jetë detyra jonë për t’u angazhuar pa u ndalur për sistemin shëndetësor të vendit tonë.