Klubi i futbollit Prishtina është futur edhe njëherë në një krizë si në aspektin financiar ashtu edhe në atë sportiv. Derisa skuadra po kalon nëpër një seri të rezultateve në Superligë, të hënën u shkarkua trajneri Imet Munishi, ndërsa ka dhënë dorëheqje edhe kryetari Hakif Gashi.
Këto zhvillime të jashtëzakonshme, Drejtori Gjeneral i klubit, Arton Osmani i konsideron të kalueshme, por që kanë ndikuar për keq brenda ekipit. Në një intervistë për KosovaPress, ai thotë se në zhgënjimin e aksionarëve po ndikojnë edhe faktor të jashtëm, siç janë edhe gabimet e gjyqtarëve në dëm të Prishtinës.
“Nuk ka diçka të jashtëzakonshme, ne një periudhe qetësie, një periudhë te rikuperimit edhe financiar edhe sportiv, ndërkohe kishe zhvillime të cilat nuk janë në kontrollin tonë siç ishte licencimi i Federatës së Futbollit të Kosovës, ose moslicencimin në këtë rast që ndikoi keq, pastaj patëm edhe probleme sportive, rasti me Dukagjinin, rasti me Ballkanin barazimi në minutat e fundit, pakënaqësi me referim. Ato po ndikojnë edhe në entuziazmin e aksionarëve sepse po e shohin që realisht një pjesë e parave që po i japin nuk po i japin rezultatet e pritura dhe jo vetëm për shkak të skuadrës, për shkak të kapaciteteve të ekipit, por edhe për shkak të faktorëve të jashtëm”, theksoi ai
Në lidhje me dorëheqjen e Gashit, Osmani zbulon se ka pasur mospajtime ndërmjet aksionarëve brenda klubit.
“Sa i përket aksionarëve nuk është që është mosmarrëveshje, është më shumë zvarritje. Tashmë ish-kryetarin e kam lutur që të qëndroj të paktën deri në qershor. Ka prezantuar një plan zhvillimore, një plan të reformave edhe të brendshme edhe në raport me jashtë në një afat të zbatimit të caktuar dhe të shkurt. Ndërkohë pati disa zvarritje, pati disa hezitime nga ana e disa aksionarëve për t’i pranuar këto reforma për ta filluar zbatimin e tyre në afat të shpejtë edhe për rrjedhojë dha dorëheqje”, theksoi më tutje ai.
Shkarkimi i Ismet Munishit erdhi si një lajm i papritur, por Osmani thotë se ky vendim erdhi pas diskutimeve të gjata në klub. Ai shton se skuadra nuk po i përgjigjet më urdhrave të trajneri dhe skemave të tij.
“Ai ka qenë vendim i bordit me drejtorin sportiv sepse realisht çështjen e trajneri e kemi diskutuar është diçka që e vendos bordi dhe drejtori sportiv…Ka qenë një konsensus i përgjithshëm që më e mira për të gjithë, duke përfshirë edhe trajnerin do të ishte ndërprerja e bashkëpunimit sepse e kemi parë në disa raste që nuk është përgjigjur ekipi ndaj trajnerit, ndaj strategjive që i ka përgatitur, formës së lojës dhe kanë ardhur në përfundim që opsioni më i mirë është ndërprerja e bashkëpunimit…Ai ka qenë i vetëdijshëm për objektivat edhe çfarë pritet në bazë të kapaciteteve financiare edhe erdhëm në një situatë që gjithnjë e më shumë po i largoheshim objektivave dhe u desh ta merrnim këtë veprim gati, gati në fund”, bëri të ditur Osmani.
Për ta zëvendësuar Munishin, Osmani thotë se në tavolinë janë dy emra, Ramiz Krasniqi dhe Ardian Nuhiu, me ish-trajnerin e Dritës të cilin e konsideron si kandidatin më serioz për stolin bardh e kaltër.
“Kemi pasur diskutime, në disa prej tyre kam marr pjesë edhe unë, natyrisht është konsultuar edhe stafi i klubit, disa prej tyre janë prezent këtu kanë preferenca të ndryshme. Një prej tyre që ka qenë më i zëshëm, që e kemi pjesëtar të klubit për shumë vite ka qenë për Ramiz Krasniqin, është Ardian Nuhiu. Do të thotë këta dy emra janë përmendu pak më shpesh…Sipas pjesës së sportit, sepse i kemi të ndara gjërat, mos të hyjë në territor të tjetër kujt, po, është kandidat serioz”, tha në fund ai./Paparaci/