Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se do të formohet një monitorim i përbashkët për të nisur formimin e Asociacionit.
“Duhet të formojmë një monitorim të përbashkët, një komision të kryesuar nga BE-ja brenda 30 ditëve, për të filluar menjëherë formimin e Asociacionit”, ka thënë ai, raporton RTS.
Më tej Vuçiq ka thënë se ky do të jetë një proces i vështirë.
“Ne nuk kemi shumë obligime në këtë pjesë, nuk dua të mashtroj askënd, kur të takohemi herën tjetër, atëherë do të flasim për detyrimet tona, ky është një proces i vështirë, është e rëndësishme për mua që thashë ato që janë vijat tona të kuqe”, është shprehur Vuçiq.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, është deklaruar për media pas përfundimit të takimit në Ohër, ku ka bërë të ditur se dy shtetet janë dakorduar për t’i respektuar të gjitha pikat dhe se do t’i implementojnë të gjithat.
Ai ka përmendur edhe nenin 7 të shumëpërfolur për çështjen e “Vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.
Neni 7 është diskutuar në opinionin kosovar si neni që lejon krijimin e Asociacionit në Kosovë.
Borrell ka përsëritur se nga kjo marrëveshje do të përfitojnë të dyja palët. Ai ka thënë se javën e ardhshme do t’i njoftojë ministrat e liderët e BE-së për angazhimin dhe përkushtimin e të dyja palëve që të implementohen sa më shpejt marrëveshjet./GazetaSinjali/