Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi vazhdon ta kundërshtojë marrëveshjen me Serbinë. I pari i PDK-së ka reaguar sërish në lidhje me marrëveshjen e dakorduar mbrëmë, apo aneksin e zbatimit të marrëveshjes që u dakordua më 27 shkurt në Bruksel.
Sipas Krasniqit marrëveshja me Serbinë, pa njohje reciproke por me Asociacionin në qendër, është dështim i madh politik e kombëtar, të cilën do ta paguajmë të gjithë dhe gjatë.
Statusi i plotë i Krasniqit:
Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta.
Por, përtej mashtrimeve të tij, brenga ynë mbetet Kosova, qyetarët tanë dhe brezat e ardhshëm, të cilët, fatkeqësisht, përveç që e kanë humbur besimin në perspektivën që ofron Kosova, do ta trashëgojnë për vite me radhe konfliktin e ngrirë me Serbinë. Dhe kjo është pasojë direkte e gabimeve të Albin Kurtit që ka negociuar dhe mundësuar këtë marrëveshje që është e pamjaftueshme për Kosovën dhe që nuk i arrin qëllimet tona shtetërore e qytetare.
Marrëveshja pa njohje reciproke, e përqendruar në një asociacion të avancuar e autonomi politike për komunitetin serb dhe pa garanci për integrimin euro-atlantik të Kosovës është dështim i madh politik e kombëtar, të cilin do ta paguajmë shtrenjtë dhe gjatë, të gjithë.