Trileri i volejbollit në mes të KV Drita dhe KV Skenderaj, i luajtur këtë të mërkurë në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan, i ka takuar ekipit vendas, Dritës së Gjilanit, e cila tashti në finalen e play-offit prinë me rezultat 1:0.
Drita që ka dominuar tash e sa kohë në volejbollin kosovar, së fundi gjithnjë e më tepër po has në kundërshtarë të fortë, kësaj radhe në ekipin e Skenderajt, i cili e pati ndeshjen në dorë, por lojtarëve të saja, sikur iu drodhën duart atëherë kur fitoren e kishin në prag.
Seti i parë është mbyllur me fitoren e vashave nga Skenderaj, të cilat ngadhënjyen me rezultat 25:18. Drita në këtë set bëri shumë gabime në shërbime, kurse as sulmi e as mbrojtja nuk funksionoi si duhet, gjë të cilën e shfrytëzuan mysafiret.
U duk se ky ishte vetëm një episod i keq i vashave të Dritës, por agonia e tyre vazhdoi edhe në setin e dytë, në të cilin ekipi vendas udhëhoqi tërë setin, deri kur i arriti 18 pikë dhe aty u ndal, gjë të cilën e dënuan vashat nga Drenica. Seti i dytë u mbyll 25:22 për mysafiret.
Volejbolli, që asnjëherë më parë nuk ka mbledhur kaq shumë shikues, luhet në tre sete dhe kurrë nuk është vonë për t’u rikthyer. Këtë e dinë edhe shikuesit, të cilët edhe më zëshëm mbështetën ekipin vandas dhe kjo dhe fryt. Falë katër shërbimeve të fuqishme të Kadriut, Drita u shkëput në rezultat, kurse edhe sulmet nëpërmjet lojtareve të qendrës Leka e Shabani bënë që seti të fitohet 25:22.
Seti i katërt ishte më i paqarti, tashti u dalluan Mehmeti e Prenga, kurse edhe loja në fushë e liberos Hyseni dhe e teknikes Jaha ishin më të mira. Por, kur u duk se seti po fitohet, mysafiret forcuan lojën e tyre dhe në fund udhëhoqën me rezultat 24:22 dhe u duhej vetëm një pikë për të ngadhënjyer në ndeshjen e parë e këtë e hetuan edhe “Shqiponjat e zeza” që kishin udhëtuar në Gjilan, por Drita që dukej se është gjunjëzuar u ringrit dhe fitoi katër pikë radhazi, për të fituar setin 26:24 dhe u desh të luhej seti vendimtar.
Mysafireve sikur iu prenë këmbët që nuk morën ndeshjen që e kishin në dorë dhe në setin e pestë nuk u këndellën dot, andaj ndeshja u mbyll me fitoren e vendasve, të cilët morën setin e pestë me rezultat 15:9, për të fituar tërë ndeshjen me rezultat 3:2 në sete.
Trajnerët e Dritës, Ilazi e Zymberi i prêt një ndeshje e vështirë në Skënderaj, andaj ata duhet të përgatisin ekipin për ndeshjen e radhës me qëllim që të marrin titullin e dëshiruar.