Pas ndaljes së Agim Ademit për 48 orë në mbajtje, Prokuroria Themelore në Prishtinë tregoi se në lidhje me çka po hetohet kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), i cili para se të ndalet, për disa orë është intervistuar nga Policia.
“Prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e Kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, për shkak të dyshimit të kryerjes së veprave penale “Keqpërdorimi i besimit”, nga neni 330 dhe “Shmangie nga tatimi”, nga neni 307 të KPRK-së”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.
Ndërkohë, Gazeta Express ka mësuar se kontrata që Agim Ademi, si përfaqësues i FFK-së, e ka nënshkruar me Taulant Hodajn, si përfaqësues të zyrës së avokatisë, “Hodaj & Partners”, ka qenë një objekt interesimi i Krimeve Ekonomike, por nuk ka informata nëse kanë vazhduar hetimet.
Taulant Hodaj njëherësh që nga viti 2021 e kryen funksionin e ushtruesit të detyrës së sekretarit gjeneral të FFK-së.
Gazeta Express ka konfirmuar se më datë 20.12.2022 Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion kishte bërë kërkesë në Odën e Avokatëve të Kosovës për informim nëse Taulant Hodaj ka të drejtë si avokat ta kryej njëkohësisht funksionin e ushtruesit të detyrës së sekretarit të FFK-së dhe funksionin e avokatit të FFK-së.
Kjo njësi e Policisë së Kosovës, sipas dëshmive të siguruara, ka vërejtur se me datën 23.08.2021 avokat Taulant Hodaj me vendim të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, e të nënshkruar nga Agim Ademi, është emëruar ushtrues i detyrës së sekretarit të FFK-së.
Ndërsa, me datë 01.09.2021 FFK ka lidhur marrëveshje për shërbime juridike dhe detyrave të zyrës së sekretarit të FFK-së me zyrën e avokatisë “Hodaj & Partners”. Kjo marrëveshje është nënshkruar nga kreu i FFK-së, Agim Ademi, dhe Taulant Hodaj, në këtë rast si aksionar i kësaj zyre të avokatisë.
Duhet kujtuar se vetëm gjatë vitit 2021, FFK-ja ka paguar 42 mijë euro në “Hodaj & e Partners” për shërbime ligjore, sipas një raporti të auditimit të vitit 2021.
Ndërkohë, një grup “opozitar” i kryesisë së FFK-së në vazhdimësi kanë tërheq vërejtjen se Taulant Hodaj po e kryen paligjshëm detyrën e sekretarit gjeneral të FFK-së duke qenë avokatë nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe aksionarë në zyrën e avokatisë “Hodaj & Partners”, shkruan Gazeta Express.
Po ashtu, Taulant Hodaj ka zënë vend edhe në procesin e ri-licencimit të FFK-së nga Komisioni i Ministrisë së Sportit, i cili ende nuk e ka licencuar FFK-në shkaku i një varg kriteresh të pa përmbushura, sipas këtij komisioni ministror.
Njëri nga kushtet e pa përmbushura ka pasur të bëjë me pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm, të cilën avokati Hodaj e mbante si ushtrues detyre. Komisioni i kërkoi FFK-së që ajo ta ketë një Sekretar të përhershëm siç e kërkon Statuti i Federatës me mandat katërvjeçar, të propozuar nga kryetari dhe të votuar nga Komiteti Ekzekutiv.
Gazeta Express ka provuar disa herë të flas me Taulant Hodaj, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve telefonike.