Presidentja e Greqisë: Qëndrimi ynë për mosnjohjen e Kosovës mbetet i njëjtë
Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, ka thënë se qëndrimi i Greqisë për mos-njohjen e Kosovës mbetet i njëjtë.
Këto komente ajo i bëri para fillimit të vizitës së saj në Serbi, ku do të qëndrojë nga data 27 mars deri më 29 mars.
“Në të njëjtën kohë, Greqia, përveç qëndrimit të saj të njohur për statusin e Kosovës dhe besnike ndaj politikës së saj në Ballkanin Perëndimor, ndjek një qasje pragmatike dhe konstruktive në raport me Kosovën, e cila synon forcimin e stabilitetit dhe stabilitetit si dhe një lëvizje të përgjithshme drejt integrimit në BE të të gjithë rajonit, që është qëllimi ynë strategjik,”- ka thënë Sakelaropoulou për gazetën Politika.
Ajo deklaroi se “integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE është një investim i dobishëm me natyrë strategjike, si për vendet anëtare të BE-së, ashtu edhe për partnerët e Ballkanit Perëndimor”.
“Ky është pozicioni që Greqia e ka mbrojtur dhe promovuar vazhdimisht për dekada. BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.” – u shpreh Sakelaropoulou.
Greqia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës.