Policia e Shtetit në Shqipëri ka ofruar 100 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion lidhur me vrasjen e rojës së Top Chanel dy natë më parë.
Në njoftimin e Policisë thuhet se automjeti i përdorur nga autorët është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës.
Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.
“Më datë 27.03.2023, në orën 19:00, nën drejtimin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është zhvilluar një analizë e detajuar e veprimeve hetimore të kryera, janë përcaktuar versionet hetimore dhe një grup i posaçëm hetimor po vazhdon kryerjen e veprimeve hetimore të deleguara me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve.
Po kështu, po analizohen të gjitha informacionet që disponon Policia e Shtetit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese të cilat do të ndihmojnë grupin hetimor, për kryerjen e këtij hetimi.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe vendos shpërblim 100 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në identifikimin e autorëve. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi” thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë./Indeksonline/