Njëri nga bashkëpunëtorët më të afërt të presidentes Vjosa Osmani, Faton Peci ka folur pas raportimeve në media se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzoj të parën e shtetit, për shkak se dy kandidatë për deputetë kanë bërë ankesa në instancën më të lartë gjyqësore në vend.
Ministri i Bujqësisë ka theksuar se nëse do të ndodhtë një skenar i tillë, pra nëse Gjykata Kushtetuese do ta rrëzonte Osmanin, “ky në fakt është skenar i Serbisë për destabilizim institucional të Kosovës”.
Ai ka theksuar se treshja drejtuese e vendit: presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryekuvendari, Glauk Konjufca janë më unik se kurrë.
“Tre krerët e institucioneve Osmani, Kurti dhe Konjufca bashkëpunojnë e funksionojnë sot njësoj si më 4 prill 2021 kur u zgjodh Presidentja Vjosa Osmani në Kuvendin e Republikës”, tha ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, “sulmi mbi cilindo prej tyre është sulm mbi të tre, mbi të gjithë ne, e para së gjithash mbi shtetin demokratik e pushtetin e ri”.
“Një veprimi të tillë me siguri do t’i gëzohej Beogradi zyrtar, sepse ky në fakt është skenar i Serbisë për destabilizim institucional të Kosovës”, vlerëson ministri Peci.
Peci ka kritika edhe opozitën kosovare, duke u dërguar mesazh që të mësohen të jenë në rolin e opozitës dhe të pushojnë me sabotime.
“Ndërkaq atyre në Kosovë që populli ua mori fuqinë me votën e lirë, ata duhet të mësohen me punën në opozitë dhe të pushojnë me insinuatat e sabotimet”, thotë ai.