I ftuar në emisionin “Fanari” kushtuar muajit të Ramazanit ka qenë imami, Shefqet Krasniqi.
Ai ndër të tjera ka thënë se feja ka ardhur për pesë fondamente.“Jo vetëm feja jonë si legjislacion i fundit, por edhe fetë qiellore të mëhershme, në bazë kanë qenë të shëndosha. Pra çdo legjislacion prej fillimit të dynjasë, prej kohës së Nuhut a.s. deri në legjislacionin tonë fondamente kryesore i kanë pasur pesë. Thuaj ndryshe feja ka ardhur për pesë fondamente: për ta ruajtur mendjen, për ta ruajtur nderin (moralin), për ta ruajtur pasurinë (për ata pasuria është e shenjtë), për ta ruajtur gjakun (për ata lufta për ta mbrojtur gjakun e qytetarëve është legjitime. Këtu futen mbrojtja e vatanit, dashuria e vatanit) dhe e fundit është ruajtja e dinit (fesë)”, është shprehur Krasniqi.
Më tej, ai ka pyetur ata që kanë dyshime se a mund të jetë një mysliman i devotshëm edhe atdhetar i mirë, se cili është definicioni i atdhedashurisë.
“A ka mundësi me i pyet këta njerëz që thonë se nuk ka mundësi me u ba bashkë edhe mysliman i mirë edhe atdhetar i mirë, a bën me i pyet, ama definicionin, konceptin e atdhedashurisë? Cili është definicioni, përkufizimi i atdhedashurisë? Me qenë atdhetar çka është? Me e marr sharkinë e me këndu?! Me e marr rakinë e gotat “hajde rrnoftë Kosova e cake”?! Kjo është atdhedashuri a?! … Apo koncepti i atdhedashurisë është me e dashtë me zemër, e që kjo është e fshehtë. Dhe këtu shtihen pastaj ata që janë fals, me e shqiptu me gojë, edhe këtu bëhen bashkë ata që janë fals me ata që janë të sinqertë. Madje ata që janë fals flasin më shumë. Apo është edhe më shumë diçka tjetër? Dhe tash këtu ndalemi”.
“Atdhedashuria është me e dashtë vatanin tënd më shumë se çdo vatan në këtë dynja. Me qenë në gjendje me u shkri për vatanin tënd, për tokën tënde, sikurse qiri i cili shkrihet që t’u bëjë dritë të tjerëve që janë aty. Kërkon nevoja me u shkri, po. Kërkon nevoja me u harxhu materialisht, në zero për toke. Për vatan nuk është tepër nuk është shumë. Kjo është atdhedashuri”, është shprehur Krasniqi