Sot, në ditën e dytë të gjyqit, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi ka nisur deklaratat hyrëse për rastin e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, raporton Gazeta Sinjali.
Avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Kehoe, nisi deklaratën e tij duke thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka luftuar për atdheun dhe ekzistencën e tyre.
Kehoe tha se i vetmi rrezik në atë kohë ka qenë policia jugosllave.
“UÇK ka luftuar për ekzistencën e tyre dhe për atdheun. I vetmi rrezik ekzistencial ishte policia ushtarake jugosllave”, tha ai.
Prokuroria dje tha se katër të akuzuarit kishin themeluar një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që gjatë periudhës së luftës kishte shënjestruar personat që i ka konsideruar kundërshtarë të UÇK-së.
Në ditën e parë të gjyqit u shfaqën disa prova të prokurorisë në formë të komunikatave të UÇK-së, intervistave televizive, dokumentarëve e shënimeve personale të disa prej të akuzuarve.