Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka kritikuar sulmet e Qeverisë Kurti ndaj Gjykatës Kushtetuese në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Ajo i kujtoi Qeverisë se ishte Gjykata Kushtetuese ajo që mundësoi rrëzimin e qeverisë Hoti, vendim i cili u duartrokit nga ta.
Në fjalën e saj, ajo akuzoi qeverinë për shpërdorim të pushtetit dhe përshkruan veprimet e tyre si një përpjekje për të përdorur institucionin në mënyrë që gradualisht ta vrasin atë, duke marrë si analogji një analizë të një shkencëtari politik amerikan të njohur.
“Gjykatën sot po e shani që ua bëri të mundur të ulni ku jeni, që e rrëzoi qeverinë Hoti dhe e duartrokitët nëse keni harruar. Gjykata që ju thatë se nuk ka nevojë të votohet sepse akterët ndërkombëtarë po thonë që nuk ka nevojë. Vetë e keni thënë. Ky ekzekutiv dhe kjo ministre ka thënë s’ka nevojë me u votu Gjykata Kushtetuese sepse është e pavarur. Një shkencëtar politik amerikan në universitetin e Harvardit e ka një libër-analizë ku flet për demokracisë edhe thotë që paradoksi tragjik i rrugës elektorale të autoritarizmit është se vrasësit e demokracitë e përdorin vetë institucionin brenda shtetit demokratik, gradualisht në mënyrë delikate për ta vrarë atë. E ju bëheni të befasuar kur flasim për qasje autoritare, por ju pëlqen shumë të flisni për Evropë e Këshill të Evropës, s’ju pëlqen shumë të flisni për demokraci e demokratizim. Por ai Këshill i Evropë në paragrafin 18 të rekomandimeve për pavarësinë ë gjyqësorit ja ndalon kësaj ministre (Albulena Haxhiu) më fol për raste gjyqësore specifike“, ka thënë ajo.