Pas nënshkrimit të marrëveshjes bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi, për korridorin e qiellit të hapur, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se në këtë mënyrë do u japin shembull shteteve tjera se si duhet të jenë marrëdhëniet mes dy qeverive.
Këto deklarata Abazoviq i dha pas takimit me kryeministrin e vendit, Albin Kurti, me ç’rast tregoi se ideja e përbashkët mes të dyja palëve, është krijimi i një aksesi më të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve, përcjell.teve1.info.
“Fokusi ynë edhe sot në takim ishte standardi jetësor i Kosovës dhe i Malit të Zi, andaj mendoj se jemi në një rrugë të duhur. Do të zhvillojmë disa projekte që për Malin e Zi janë historike, e që kanë të bëjnë me infrastrukturën. Ideja jonë është ta krijojmë një akses shumë më të lehtë për qytetarët e të dyja vendeve. Nëse e krijojmë një akses më të lehtë, atëherë edhe shkëmbimi i mallrave e i bizneseve, do të jenë shumë më intensive dhe kjo do të krijojë një atmosferë shumë më të mirë rajonale. Ne vijmë me një mesazh paqësor, me një mesazh miqësor dhe në të ardhmen do të mundohemi të krijojmë një atmosferë të mirë rajone ku të dyja shtetet duhet tu japin shembull shteteve tjera se si duhet të jenë marrëdhëniet ndër qeverive”, deklaroi Abazoviq në konferencë para medieve.
Ndër të tjerash, Abazoviq vlerësoi që Kosova dhe Mali i Zi, tanimë e kanë dëshmuar se e meritojnë të bëhen pjesë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Ne ardhmërinë tonë e shohim në Bashkimin Evropian, e shohim në një familje të madhe evropiane. Mendoj që edhe Kosova edhe Mali i Zi, në vitin e kaluar kanë treguar se në dy luftërat kryesore, njëra ka të bëjë me drejtësinë e luftën kundër korrupsionit, e tjetra ka të bëjë me ekonomi, kanë pasur shumë sukses”, shtoi tutje Abazoviq.
Sipas kësaj marrëveshjeje të nënshkruar, parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi, nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.