Imami i xhamisë në Ortakoll të Prizrenit, Mazllam Mazllami, javën e fundit është komentuar shumë në media pasi mori si dhuratë një veturë të tipit ‘Mercedes’ nga Bashkësia Islame e Kosovës me rastin e pensionimit nga detyra.
Sot gjatë fjalimit të tij në njërën nga xhamit e vendit, Hoxha Mazllami ka folur për “Mercedesin” e famshëm duke thënë së u “ba kiameti” për këtë veturë.
Hoxha tha se vetura është e vitit 2013 dhe se i ka afër 300 mijë kilometra të kaluara.
“Para 1 muje vëllezër nga Opoja janë bashkue ma kanë zgjedh një makinë Benz, është e 2013, 10 vjet e moçme, është afër 300 mijë e kaluar. Faleminderit, është e mirë, e pastër, e rujtun, u ba kiameti. Janë mësu populli hoxha me magar duhet me ecë, vallahi unë çdo xhuma që dal para juve e marr letrën e shkruj. Unë e kam llaptopin ose celularin nuk e marr këtu me vnu, se e di shqiptari çka fol”, u shpreh imami.
“Mos xhelozoni se xhelozia është vepër e shejtanit”, u shpreh hoxhë Mazllami.
Tutje, hoxha tregoi se si kishte shkuar me makinën që kishte më parë mysafir dhe pastaj e kishte gjetur me katër gomat e shpuara.
Ai thotë se kjo u bë nga xhelozia.
“Besoni në zot, e kisha makinën ia vura katër rrotat e reja, gomat. Isha me një vend mysafir. Kur dola dikush ia kishte vu katër gozhda. E çova e ndreqa, u bë prapë qysh ka qenë”, tha ai.