Deri në fund të muajit prill, qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë pagesën e këstit të parë të tatimit vjetor në pronë. Në të kundërtën, ata do të gjobiten. Afati për këstin e dytë të pagesës është fundi i muajit shtator.Nëse pagesa nuk bëhet në kohë, do të aplikohet një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj që vonohet pagesa dhe një gjobë prej 10 për qind të tatimit të papaguar.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës miratoi ditë më parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme përmes së cilit tatimpaguesit mund të përfitojnë nga zbritja e faturave të vitit 2023 deri në shumën 100 euro apo sa lartësia e faturës. Ky vendim po vazhdon të kundërshtohet nga partitë opozitare.Tatimi në pronë është taksë vjetore komunale dhe përcaktohet nga shumëzimi i vlerës së pronës me normën tatimore.
Kjo normë është 0.15 për qind e vlerës së përgjithshme të pronës. E, faturat e tatimit në pronë këtë vit janë më të larta se më herët.Pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve rezidenciale, që ka bërë Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve në fund të vitit të kaluar, tatimi në pronë për disa është rritur deri në 100 për qind, e për disa ka mbetur i pandryshuar, pasi vlera e pronës, pas vlerësimit, nuk ka ndryshuar.
Me ligjin në Kosovë, vlerësimi i pronës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve bëhet në çdo tre ose pesë vjet.